Ekonomia
Ekonomia në territorin e komunës së Tetovës viteve të fundit, ka shënuar rritje të vazhdueshme. Si veprimtari më të zhvilluara dhe njëherit shtylla të industrisë tetovare janë: industria e përpunimit të drurit, ndërtimtaria dhe materialet ndërtimore, bujqësia, industria e tekstilit etj. Gjithashtu, rritja e vazhdueshme e ekonomisë mund të vërehet edhe nga arritja permanente e numrit të subjekteve ekonomike që veprojnë në rajonin e Tetovës. Prej tyre 98% u takojnë ndërmarrjeve të vogla e të mesme, kurse vetëm 2% ndërmarrjeve të mëdha.
Subjektet afariste që gjatë dekadës së fundit kanë dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e ekonomisë në rajonin e Tetovës, janë të sektorëve si vijon: industria e drurit (mobiliet), ndërtimtaria, industria ushqimore dhe industria e tekstilit. Sektorët në fjalë me kapacitetet e tyre dhe teknologjinë që kanë, janë bërë konkurruese jo vetëm në tregun e Republikës së Maqedonisë, por edhe më gjerë në Ballkan. Disa ndërmarrje për prodhimin e mobilieve për amvisëri dhe mobilieve për zyra, posedojnë teknologji kulminante CNC dhe kanë potencial për qasje në tregjet ndërkombëtare.
Ndërtimtaria sidomos në 6 vitet e kaluara, ka marrë një hov të vrullshëm edhe në rajonin e Tetovës, ku janë realizuar një numër i madh ndërtimesh cilësore banesore-afariste. Vlen të theksohet se, të gjitha këto ndërtime të reja realizohen nga ndërmarrjet private, pra, me investime private dhe me kapacitete tekniko-teknologjike.
Industria ushqimore gjithashtu ka kapacitetet e saja dhe potenciale në komunën e Tetovës. Me cilësinë që kanë prodhimet e qumështoreve të komunës së Tetovës tash më, janë konkurrente në tregun e përgjithshëm të qumështit dhe prodhimeve qumështore. Ndërmarrjet që prodhojnë qumësht dhe prodhime qumështore i mbulojnë nevojat e konsumatorëve të komunës së Tetovës dhe më gjerë.