Koncert festiv me rastin e Vitit të Ri
Në natën e ndërrimit të motmoteve komuna e Tetovës organizoi koncert festiv në sheshin “Iliria”. Në pjesën e parë të koncertit u bë promovimi i këngëtarëve të rinj nga Tetova të cilët kënduan në zhanre të ndryshme. Në pjesën e dytë performuan këngëtar të njohur të estradës muzikore si Nadi, Big Mama, Malsori, Bajramali Idrizi dhe këngëtar të tjerë. Ndërrimi i viteve, u prit me plot surpriza në sheshin “Iliria”. Para të pranishmëve performuan valltare të njohura ndërsa në fund pati spektakël fushekzjaresh.
Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina tha se viti 2009, ishte një vit i suksesit dhe përparimit për qytetin e Tetovës. Duke ua uruar të gjithë qytetarëve Vitin e Ri, Pustina shprehu bindjen se ky përparim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Para mijëra të tubuarve në sheshin “Iliria”, disa çaste para ndërrimit të viteve, kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti të gjithë të pranishmëve ua uroi Vitin e Ri 2010 duke shprehur mirënjohjen e thellë për besimin dhe mbështetjen që kanë dhënë qytetarët për të arritur progres. “Sonte edhe njëherë pohoj detyrimin dhe premtimin për të qenë gjithmonë e më shumë pranë jush në të gjitha sfidat që na presin. Në natën e gëzimit të Vitit të Ri, kur të gjithë gjendemi në frymën e festës, ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me dëshirat më të mira për lumturinë tuaj dhe të familjeve tuaja”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti.