Kryetari i partisë VMRO-Popullore vizitoi komunën e Tetovës
Të martën kryetari i Komunës së Tetovës, Prof.Dr. Sadi Bexheti ka pritur për vizitë kryetarin e partisë VMRO-Popullore, Marian Dodovski. Gjatë këtij takimi është biseduar për problemin urgjentë të mbeturinave në Tetovë, ndërkohë që janë shikuar modelet për një zgjidhje afatgjate të këtij problemi. Modeli i Partneritetit Privat-Publik është parë si një mundësi më e pranueshme dhe si një qasje ekologjike dhe afatgjate për problemin e mbeturinave.
“Ne deshëm t’i shfrytëzojmë përvojat e kryetarit të partisë VMRO-Popullore, pasi ai ka qenë ministër i ekologjisë, sidomos idetë e tij për implementimin e Partneritetit Publik-Privat. Prandaj ne në të ardhmen planifikojmë që duke filluar nga mbeturinat, uji për pije, hidrocentralet, rregullimi i hapësirave të gjelbërta, grumbullimi i ujërave të zeza dhe parkingjet të menaxhohen nëpërmjet drejtorive të veçante në bazë të Partneritetit Privat-Publik”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Prof.Dr. Sadi Bexheti.
“Biseduam për angazhimin e kryetarit rreth mbeturinave në Tetovë dhe angazhimet e tij që Tetova të jetë një ndër qytetet më ekologjike në Maqedoni. Konkretisht me kryetarin e komunës së Tetovës biseduam për konceptet e mundshme për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha kryetari i VMRO-Popullore, Marian Dodovski. Sipas tij, zgjidhje më ekologjike, më e qëndrueshme dhe më reale mbetet Partneritet Publik-Privat, nëpërmjet së cilës komuna direkt do të kyçet edhe në zgjedhjen e partnerit që do të jetë strategjik në administrimin e mbeturinave, por edhe do të realizojë të hyra dhe do të shmang shpenzimet tjera në trajtimin e mbeturinave.
Ai tha se komuna i ka të gjitha instrumentet në dorë në bazë të rregullativave ligjore që të mendojë për konceptin e PPP-së. “Jam thellësisht i bindur se nëse fillohet me këtë procedurë Tetova do të jetë shembull se ky projekt mund të implementohet dhe që në variantin optimist mund të zgjasë 6 muaj. Me këtë do ta ruante autonominë në zgjidhjen e problemeve komunale dhe do të ishte shembull i qasjes ekologjike ndaj mbeturinave”, tha ai.