Komuna e Tetovës ndau 30 mijë euro për Shkodrën
Të enjten Këshilli i komunës së Tetovës ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme, e cila i dedikohej ndarjes së mjeteve financiare për qytetarët e Shkodrës të cilët pësuan nga përmbytjet. Ndarja e ndihmës financiare në shumë prej 30 mijë euro ishte iniciativë e kryetarit të komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti.
Në arsyetimin për ndarje të kësaj ndihme financiare, kryetari i Këshillit komunal të Tetovës, Irfan Emini u shpreh se me këtë dëshmohet dhe shprehet vullneti, humanizmi dhe solidariteti i qytetarëve të Tetovës për të evituar dhe parandaluar zgjerimin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Në emër të grupit të këshilltarëve të PDSH-së, koordinatori i grupit, Durim Luma, tha se propozimi i kryetarit të komunës së Tetovës për ndarje të ndihmës financiare për qytetarët e Shkodrës duhet të përshëndetet dhe është një propozim i qëlluar. Luma gjithashtu ka falënderuar të gjithë këshilltarët për mirëkuptimin e treguar në këtë drejtim duke u shprehur se me këtë ndihmë ne solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen me banorët e Shkodrës.
Propozim-Vendimi për ndarjen e ndihmës financiare në shumë prej 30 mijë euro për të pësuarit nga përmbytjet në qytetin e Shkodrës u miratua njëzëri nga këshilltarët e komunës së Tetovës.