Arrihet marrëveshje për bartjen e mbeturinave në “Rusino”
Problemi i deponimit të egër të mbeturinave në Tetovë tashmë ka gjetur zgjidhje. Në takimin e realizuar në “Rusino”, mes kryetarit të komunës së Tetovës Prof. Dr. Sadi Bexheti, kryetarit të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, kryetarit të Këshillit Regjional të komunave të rajonit të Pollogut, Fatmir Izairi dhe ministrit të Ekologjisë, Nexhati Jakupi është arritur marrëveshje që të fillohet me bartjen e mbeturinave nga Tetova për në deponinë rajonale “Rusino”. Ky takim është iniciuar nga kryetari i Këshillit Regjional të komunave të rajonit të Pollogut, Fatmir Izairi.
Bartja e mbeturinave do të fillojë menjëherë duke filluar që nga nata e së enjtes, nga ora 21:00, ndërkohë që paralelisht me bartjen do të realizohen edhe punët e mbetura në deponinë “Rusino”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryetari i komunës së Tetovës, Prof.Dr. Sadi Bexheti, kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, ministri i Ekologjisë, Nexhati Jakupi dhe kryetari i Këshillit Regjional të komunave të rajonit të Pollogut, Fatmir Izairi kanë shprehur kënaqësinë e tyre për tejkalimin e situatës dhe për gjetjen e zgjidhjes për problemin e mbeturinave në Tetovë.
“Me iniciativën time bëmë një takim me ministrin, dy kryetarët e komunave dhe definitivisht u tejkaluan të gjitha mosmarrëveshjet në lidhje me deponinë ‘Rusino’ dhe prej sot në ora 21:00 fillon hedhja e mbeturinave në deponinë ‘Rusino’ . Brenda 10 ditësh, ose të shtunën e ardhshme do të takohemi edhe njëherë për disa punë që kanë mbetur të shihen që do të bëhen në vijim paralelisht me bartjen në deponi", tha kryetari i Këshillit Regjional të komunave të rajonit të Pollogut, Fatmir Izairi.
Këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe ministri i Ekologjisë, Nexhati Jakupi.“Ne si Ministri morëm obligim edhe ne të ndërhyjmë me disa projekte për të përmirësuar kushtet në deponinë ‘Rusino’, dhe së bashku me komunën e Gostivarit të ndërtojmë rrugën që do të kishte tejkaluar pjesën urbane të komunës së Gostivarit, kështu që automjetet që bartin mbeturinat të mos kalojnë nëpër qytet me qëllim evitimin e efekteve anësore të banorëve”, tha ai.
“Publikisht falënderojmë kryetarin e Këshillit të komunave të Pollogut, doktor Fatmirin, falënderojmë kryetarin e Komunës së Gostivarit, i cili u angazhua të na ndihmoj edhe pse nuk i kemi kryer të gjitha punët, po mundësoi që prej ditës së sotme të fillojë puna paralelisht, domethënë bartja e mbeturinave nga ora 21:00. Po ashtu falënderoj publikisht për angazhimin e vet, ministrin e ekologjisë. Falënderoj publikisht përfaqësuesit e këtyre institucioneve për ndihmën e dhënë”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Prof.Dr.Sadi Bexheti.
“Dëshiroj të konstatoj se të gjithë ne, sot, ishim pjesë e zgjedhjes së këtij problemi, problem që na ka munduar një periudhë të gjatë kohore. Bashkërisht në vend ngjarje në konstatuam se ka edhe shumë punë për t’u bërë dhe morëm premtim nga kryetari i Tetovës se këto punë do të bëhen. Në funksion të tejkalimit të situatës emergjente të krijuar në Tetovë, ne ramë dakord që nga dita e sotme, Komuna e Tetovës të vazhdojë me transferin e hedhurinave”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani. Ai ka vlerësuar këtë marrëveshje si një mesazh pozitiv që dëshmon se institucionet e niveleve të ndryshme janë në nivel të përgjegjësive që kanë.