Qeveria diskriminon arsimin në Tetovë
Të premten udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike në komunën e Tetovës, Iljaz Halimi, përmes një konference për shtyp ka paraqitur shkurtesat e mjeteve që i janë bërë komunës së Tetovës nga ana e qeverisë, në sferën e arsimit, kulturës dhe sportit.
“Qeveria e R. Maqedonisë këtë vit e ka diskriminuar Komunën e Tetovës në sferën e arsimit duke ia shkurtuar mjetet që lëshohen me bllok detacione për nevojat e ndryshme si dhe për investime në shkollat fillore dhe të mesme”, tha Halimi.
Sipas tij, këtë vit në mënyrë drastike janë shkurtuar mjetet e planifikuara për shkollimin fillor dhe të mesëm në Komunën e Tetovës.
Në pozicionet e planifikuara, komunës së Tetovës i janë shkurtuar afërsisht 120 milionë denarë nga ana e qeverisë.
Sipas Halimit, shkurtimi i mjeteve është i njëanshëm dhe tendencioz nga fakti se arsimit fillorë dhe të mesëm këtë vit i shtohen edhe harxhime të tjera, siç është, shtrenjtimi i rrymës elektrike, shtrenjtimi i derivateve të naftës për ngrohje, zmadhimi i shpenzimeve për higjienë për arsye të mbrojtjes kundër gripit të derrit etj.
Krahas këtyre mjeteve të lejuara nga Qeveria me bllok dotacione nuk parashihet asnjë denarë edhe për investime tjera në komunë e Tetovës.
Udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike ka akuzuar qeverinë se ka qasje selektive ndaj arsimit, kulturës dhe sportit në komunën e Tetovës në raport me komunat tjera.
“Pyesim Qeverinë e R. Maqedonisë se si mundet të gjejë mjete për komunat me shumicë maqedonase siç janë Manastiri dhe Strumica, ndërsa për Tetovën jo. Si është e mundur që për këto dy qytete të gjenden mjete shtesë në vlerë prej 1 milion euro me bllok dotacione për investime në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa Komunës së Tetovës të mos i ndahet asnjë denarë” tha ai.
Halimi ka kërkuar nga qeveria që të ndërpres diskriminimin dhe të ndajë mjete shtesë për komunën e Tetovës afërsisht 120 milion denarë për funksionim normal të shkollave të mesme dhe fillore në komunën e Tetovës.