Certifikatë për implementim të suksesshëm të standardit ISO 9001:2008
Të hënën zëdhënësi i komunës së Tetovës Flakran Pustina ka mbajtur konferencë me gazetarë përmes së cilës ka bërë të ditur implementimin e suksesshëm të standardeve ISO 9001:2008 nga ana e komunës së Tetovës.
“Komuna e Tetovës radhitet në mesin e katër komunave të Maqedonisë që kanë fituar certifikatën për implementim të suksesshëm të standardeve ISO 9001:2008. Kjo certifikatë jepet për zbatim të shërbimeve në kompetencë të vetëqeverisjes lokale. Nëpërmjet kësaj certifikate, komuna e Tetovës vlerësohet për vendosjen e sistemit të qëndrueshëm për qeverisje që i përmbush kërkesat e standardit”, tha Pustina.
Sipas tij, procesi i implementimit të standardeve ISO ka kaluar nëpër disa faza që nënkupton trajnimin dhe testimin e administratës. Certifikata për këtë standard është dhënë nga Instituti Slloven për Kualitet (ISK).
Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina ka sqaruar se nëpërmjet standardit ISO 9001:2008 përmbushet misioni për një politikë cilësore në qeverisjen e komunës që hap vizionin për një komunë multietnike, të hapur, efikase, transparente dhe konstruktive. Gjithashtu, nëpërmjet të standardit ISO 9001:2008 krijohen benifite për komunën për thithjen e fondeve të ndryshme ndërkombëtare sidomos për aplikimin në IPA fondet.
Trajnimi dhe realizimi i marrjes së standardit është financuar nga UNDP-ja në kudër të projektit “Lufta kundër korrupsionit për qeverisje të mirë”.
Nëpërmjet të standardit ISO 9001:2008 realisht implementohet modeli i standardizimit të praktikave dhe procedurave në komunë, të cilat kanë për qëllim konsolidimin e administratës komunale për dhënien e shërbimeve efikase për qytetarët.
Marrja e certifikatës për implementim të suksesshëm të standardit ISO është një dëshmi e një angazhimi permanent dhe të përgjegjshëm të punës së komunës brenda kësaj qeverisje tetë mujore.