Rriten denoncimet për dhunën në familje
Dhuna në familje dhe trajtimi i rasteve të paraqitura nga ana e institucioneve shtetërorë ishte tema e debatit të së hënës që u mbajt në komunën e Tetovës nga ana e Forumit të Gruas. “Më një memorandum bashkëpunimi vendosëm që të ngritim vetëdijen e qytetarëve në tri komuna, në atë të Tetovës, Zhelinës dhe Jegunovcës, duke ndërmarrë iniciativë të përbashkët për të denoncuar dhunën në familje me moton ‘Mos hesht dhunën në familje’, tha Xhane Kreshova, kryetare e Forumit të Gruas. Ky projekt realizohet me ndihmën e trupi koordinues të përbërë nga Forumi i Gruas, përfaqësues të komunës së Tetovës, Gjyqi Themelor në Tetovë, Prokuroria Publike në Tetovë, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë,Qendra për Punë- Sociale, përfaqësues të biznesit dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Deri më sot është rritur numri i rasteve që kanë denoncuar dhunën në familje, bëjnë të ditur përfaqësuesit e institucioneve, por , sipas tyre, duhet ende të punohet në mënyrë më intensive.
“ Komuna nuk ka ingerenca për këtë sferë, por ne jemi duke punuar që të ndihmojmë në ç’do formë, duke mbështetur OJQ-të, ngase edhe ky ka qenë një ndër prioritet e kryetarit të komunës së Tetovës Prof.Dr Sadi Bexheti, por ne drejtpërdrejt do të ndihmonim kur të kalojnë ingerencat për Qendrën për Punë Sociale, dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë” , tha Ramie Cara përfaqësuese nga komuna e Tetovës.
Xhane Kreshova tha se këso projektesh do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të nxitur ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të mos e heshtur dhunën në familje.