Pagesa e tatimeve lokale kalon shifrën 85 përqind
Seksioni për administrim me tatimet lokale që funksionon në kuadër të komunës së Tetovës bën të ditur se gjatë vitit 2009 është rritur pagesa e tatimeve. Sipas drejtuesve të këtij seksioni pagesa e tatimeve ka arritur mbi 85 përqind. Kjo përqindje nuk është arritur në komunat tjera dhe ka ardhur si rezultat i përkushtimin të stafit udhëheqës të komunës dhe nëpunësve të këtij seksioni.
“Së shpejti në këtë seksion pritet që për qytetarët e komunës së Tetovës të kyçet rrjeti elektronik i tatimeve, ku qytetarët do të kenë qasje direkte për të përcjellë llogaritë e tyre se sa kanë të paguar tatim dhe sa kanë gjithsejtë taksa lokale . Ky sistem do të vihet me qëllim që qytetarëve t’iu lehtësohen procedurat dhe nëpërmjet kësaj forme ata do të mund që drejtpërdrejt të përcjellin gjendjen e tyre të taksave”, thotë Abdulla Musai, udhëheqës i seksionit për tatimet lokale.
Ky seksion më herët ka funksionuar në kuadër të pushtetit qendrorë dhe të gjitha taksat janë derdhur në llogari të pushtetit qendror, ndërsa tani kjo procedurë ka ndryshuar dhe këto taksa mbeten në llogari të komunës, ndërkohë që këto mjete shfrytëzohen për investime në infrastrukturë, arsim dhe kulturë.