Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme
Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” – Tetovë, gjatë këtyre ditëve merret me pastrimin e borës nga rrugët dhe bulevardet e qytetit. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje Hasan Luma, aktualisht të gjitha akset rrugore në qytet janë të kalueshme. “NPK “Tetova”-Tetovë së fundi është ballafaquar edhe me defekte të vogla gati të përditshme në rrjetin e ujësjellësit”, tha Luma. Sipas tij, defektet vijnë si pasojë e rrjetit të vjetruar të ujësjellësit të qytetit, ndërsa intervenimi për sanim është i shpejtë, kurse defektet nuk janë serioze për të rrezikuar furnizimin me ujë.
Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”-Tetovë punon edhe për bartjen e mbeturinave në deponinë “Rusino” në Gostivar. “Është në përfundim procesi i bartjes së mbeturinave, ndërsa punëtorë të NPK “Tetova”-Tetovë aktualisht punojnë për pastrimin e hapësirës ku u krijua deponia e egër”, tha Hasan Luma.