Ekspoze e kryetarit me rastin e 3 marsit - ditës së komunës së Tetovës
Jemi mbledhur sot, që së bashku të kremtojmë 3 marsin-Ditën e komunës së Tetovës, ditën e realizimit të aspiratave demokratike të të gjithë qytetarëve të Tetovës.
Pikërisht, më 3 mars të vitit 1992 u formua Këshilli i parë pluralist i komunës së Tetovës, që si ngjarje i dha fund epokës së njëmendësisë dhe hapi para nesh horizontin e pluralizmit politik dhe të jetës demokratike edhe në qytetin tonë.
Shënimi i kësaj dite na rikujton kthesën historike, fitoren e demokracisë dhe të pluralizmit, që i dha komunës së Tetovës ritme tjera zhvillimi dhe konsolidimi në frymën e vlerave të gjithëmbarshme të politikave demokratike.
Jemi mbledhur sot, për të shënuar këtë ditë, si një bazë të fuqishme në rrugën e demokracisë lokale dhe si një vlerë të përgjithshme drejt lirive politike për gjithë qytetarët e Tetovës.
Në frymën e kësaj kthese që përfshinë synimin tonë për një jetë demokratike dhe për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në vendimmarrjet e komunës, ne kemi projektuar vizionin tonë demokratik të Tetovës, që mbështetet në përfshirjen sa më të denjë politike dhe etnike.
Ky vizion, tashmë po konkretizohet me vendosjen e sistemit bashkëkohor të qeverisjes dhe me projekte konkrete të cilat garantojnë trajtim të barabartë për të gjitha etnikumet në komunën e Tetovës dhe për të gjitha orientimet politike.
Brenda këtyre njëmbëdhjetë muajve të qeverisjes sonë ne jemi përpjekur me të gjitha forcat të vendosim sistemin e kualitetit në zgjidhjen e probleme, duke kultivuar vazhdimisht dialogun, tolerancën dhe profesionalizimin në punën tonë.
Në vijë të këtij përcaktimi, komuna e Tetovës, ka zgjeruar kapacitet e qeverisjes nëpërmjet shumë trajnimeve të organizuara nga institucionet evropiane, të cilat kanë mundësuar që të gjitha shërbimet e komunës të jenë të hapura për qytetarët.
Ne mbetemi të palëkundur në synimin tonë për të qenë të hapur ndaj qytetarëve, ndaj të gjitha problemeve me të cilat ata ballafaqohen. Ky orientim dëshmohet me bashkëpunimet e shumta që ne kemi realizuar në drejtim të vendosjes dhe kultivimit të standardeve evropiane në funksionimin e komunës.
Ne besojmë se ky orientim i mbështetur në punë të përgjegjshme krijon mundësi reale për zhvillim ekonomik, për ambient të pastër, për përparime arsimore, kulturore dhe për mirëqenie sociale.
Ne zotohemi se edhe gjatë muajve të ardhshëm do të angazhohemi që të punojmë në të mirë të qytetarëve, në krijimin e kushteve për mirëqenien e tyre dhe në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, duke u kujdesur vazhdimisht të ruajmë dhe të stimulojmë akoma më tepër dialogun etnik dhe politik.
Gjithë projektet e realizuara deri më tani janë fryt i këtij orientimi, prandaj ne do të angazhohemi që të vazhdojmë edhe në të ardhmen me këtë ritëm bashkëpunimi dhe përgjegjësie.
Demokracia lokale mbetet forma më e mirë e pjesëmarrjes qytetare dhe e realizimit të të drejtave të tyre. Shënimi i kësaj dite na shërben për të rikonfirmuar orientimin tonë në shërbim të qytetarëve.
Më lejoni t’ua uroj 3 marsin ditën e komunës,me dëshirat më të mira për progres, drejtësi, dialog dhe tolerancë në rrugën tonë të përbashkët drejt zhvillimit të gjithanshëm të Tetovës.
Ju uroj shëndet dhe na priftë e mbara!