Intensifikohet bashkëpunimi me Njësitin e zjarrfikësve të Danimarkës “Falck”
Kryetari i komunës së Tetovës Prof. Dr. Sadi Bexheti është takuar të premten me udhëheqësin e Njësitit danez të zjarrfikësve “Falck”, Torben Christensen.
Gjatë këtij takimi është biseduar për punën e Njësitit Territorial Kundër Zjarrit që funksionon në kuadër të komunës së Tetovës dhe për nevojën e përsosjes së shërbimeve që i ofron ky njësit. Drejtorit të Njësitit kundër Zjarrit të Danimarkës “Falck”, iu prezantua në mënyrë vizuale funksionimi i NJTKZ-së në Tetovë, mënyra e organizimit, kushtet e punës dhe strategjia për të ardhmen. Gjithashtu, udhëheqësi Torben Christensen prezantoi mënyrën e funksionimin të zjarrfikësve në Danimarkë dhe mundësinë e bartjes së përvojave të tyre edhe në Tetovë.
Me zotin Christensen, kryetari Bexheti ka qëndruar në ambientet NJTKZ-së në Tetovë ku zjarrfikësit kanë demonstruar simulime të shuarjes së zjarreve në situata të ndryshme dhe në mënyrë praktike kanë simuluar intervenimet pas aksidenteve rrugore.
Kryetari i komunës së Tetovës Prof. Dr. Sadi Bexheti u shpreh tejet i kënaqur për punën e Njësitit Kundër Zjarrit, por nënvizoi se angazhimet për përmirësimin e shërbimeve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Udhëheqësi i Njësitit të zjarrfikësve të Danimarkës “Falck”, Torben Christensen u shpreh i kënaqur nga demonstrimi i zjarrfikësve të Tetovës dhe theksoi se ndihma e Danimarkës do të jetë e pakursyer në drejtim të përsosjes së shërbimeve që i ofron ky njësit në Tetovë.
Ndryshe, Njësiti Danez i zjarrfikësve “Falck” edhe në të kaluarën ka ndihmuar Njësitin Territorial Kundër Zjarrit në Tetovë për përmirësimin e kushteve të punës.