Kryetari Bexheti përgëzon futbollistët e rinj të Tetovës
Seleksioni i Tetovës, i futbollistëve fëmijë të moshës 14-15 vjeçare është kthyer triumfalisht në qytet. Ata kanë rrëmbyer trofeun e vendit të parë në turneun mbarëkombëtarë të futbollit për fëmijë “Peja 2009” të mbajtur nga 27 deri më 31 maj.
Futbollistët e rinj i ka pritur, të hënën, kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. Ai i ka përgëzuar futbollistët e rinj për suksesin e treguar dhe iu ka ndarë nga një dhuratë modeste. “ Ne do ta mbështesim sportin në komunën tonë dhe do t’iu ndihmojmë fëmijëve në këtë drejtin”, tha ai gjatë takimit me futbollistët e rinj.
Koordinatori i seleksionit të Tetovës, Muzafer Livoreka, ka falënderuar kryetarin Bexheti për mbështetjen financiare të udhëtimit dhe të veshjes së futbollistëve të rinj.
Fëmijët e seleksionit të Tetovës vijnë nga ekipe të ndryshme të cilat gravitojnë në kuadër të komunës së Tetovës. Të rinjtë e Tetovës për të tretën herë kanë fituar vendin e parë në këtë turnir mbarëkombëtar. Sivjet është mbajtur edicioni i shtatë i këtij turniri, ndërsa vitin e ardhshëm nikoqire do të jetë komuna e Tetovës.