Shfrytëzuesit ilegal shkyçen nga rrjeti i ndriçimit publik
Komuna e Tetovës, në bazë të obligimeve zyrtare ka ndërmarrë aksion për shkyçjen e të gjitha objekteve që në mënyrë jolegale kanë shfrytëzuar energjinë elektrike nga rrjeti publik i komunës.
Aksioni i filluar do të vazhdojë me intensitet të pandaluar dhe me asistencë të policisë. Nga informatat paraprake, komuna e Tetovës ka ardhur në përfundim se kjo masë është e domosdoshme, pasi numri i shfrytëzuesve jolegal është tepër i madh dhe ky veprim joligjor ka shkaktuar probleme të panumërta, si në rrjetin e ndriçimit, po ashtu edhe në buxhetin e komunës.
Për gjithë shfrytëzuesit e paligjshëm, komuna e Tetovës do të parashtrojë edhe kallëzime penale adekuate.
Në aksionin e ndërmarrë më 11.06.2009, nga rrjeti i ndriçimit publik janë shkyçur më tepër se 30 shfrytëzues që në formë jolegale kanë shfrytëzuar energjinë elektrike nga ndriçimi publik.
Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa shkyçja bëhet nga teknikët e energjisë elektrike të komunës.