Aksion për parandalimin e auto-taksive të palicencuara
Inspektorati komunal i komunikacionit ka vazhduar aksionin për marrjen e masave ligjore kundër auto-taksive të palicencuara që veprojnë në territorin e komunës së Tetovës.
Sipas udhëheqësit të Inspektoratit komunal të Tetovës, Neritan Ferati, aksioni është marrë në koordinim me policinë rrugore dhe Inspektoratin Shtetërorë Republikan.
“Duke marrë parasysh se veprimtaria e jashtëligjshme e auto-taksive është e pambrojtur jo rrallë edhe vozitësit e taksive kanë qenë viktima të udhëtarëve. Andaj, apelojmë individët që kryejnë këtë veprimtari në formë të jashtëligjshme të marrin licencat përkatëse në komunën e Tetovës”, tha Ferati.
Sipas tij, edhe pse jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë socio-ekonomike që mbretëron, në të mirë të të gjithëve do të ishte kryerja e veprimtarive në mënyrë ligjore.
Udhëheqësi i Inspektoratit Komunal të Tetovës, Neritan Ferati, kërkon mirëkuptim dhe përkrahje të qytetarëve për këtë aktivitet duke cekur se e gjithë kjo bëhet në të mirë të tyre.
Ndryshe, sipas Ligjit për të kryer veprimtarinë e transportit të udhëtarëve një auto-taksi duhet t’i posedojë këto elemente:
të ketë ngjyrë të verdhë;
të ketë emblemën e komunës;
taksimetër fiskal;
licencë për kryerjen e veprimtarisë në vend të dukshëm;
identifikim i shoferit dhe
çmimore në vend të dukshëm të çmimit për kilometër.