Luma: Mos e keqpërdorni ujin e pijshëm
Luma: Mos e keqpërdorni ujin e pijshëm
Mungesa e ujit të pijshëm në disa pjesë të qytetit nuk vjen si pasojë e zvogëlimit të prurjeve në rezervuar por si pasojë e keqpërdorimit të ujit të pijshëm nga qytetarët, deklaroi të mërkurën në një konferencë për shtyp drejtori i NPK “Tetova” Hasan Luma.

“Shprehim brengën për mosfurnizimin e rregullt me ujë të pijshëm në të gjitha pjesët e qytetit. Por, vlerësojmë se kjo nuk vjen si pasojë e zvogëlimit të prurjeve, por si pasojë e keqpërdorimit të ujit të pijshëm nga qytetarë që e shfrytëzojnë ujin për nevoja dytësore”, tha Luma.
Sipas tij, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit prurjet në rezervuar janë më të mëdha për 150 litra në sekondë. “Prurjet aktuale prej 400 litrave në sekondë janë të mjaftueshme për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm. Problemi i mungesës së ujit të pijshëm është harxhimin enorm i tij në këtë periudhë të vitit. Kjo vjen si pasojë e keqpërdorimit të ujit, andaj thërrasim qytetarët të mos harxhojnë ujin e pijshëm për ujitje, larje të sipërfaqeve para shtëpive apo lokaleve afariste, larje të automjeteve etj”, tha Luma.

Sipas tij, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm që sot do të fillojë restrikcioni i cili në mbrëmje do të zgjas nga ora 16:00 deri 17:30 dhe në mëngjes nga ora 4:00 deri 5:30. Ndërsa, nëse edhe më tej qytetarët do të vazhdojnë me keqpërdorimin e ujit të pijshëm, orari i restrikcioneve do të zgjatet.

“ Nëpërmjet kësaj konference për shtyp duam të përcjellim mesazhin dhe të lusim qytetarët për kursim të ujit të pijshëm, sepse vetëm kështu do të garantohet furnizim i pandërprerë”, tha Luma.

Ai gjithashtu njoftoi se që sot NPK “Tetova” në bashkëpunim me Njësitin Kundër Zjarrit në tre grupe do të fillojnë larjen e rrugëve në qytet me ujë teknik. Kjo do të jetë një orvatje për parandalim të keqpërdorimit të ujit të pijshëm nga ana e qytetarëve.


Data e publikimit 19.08.2010

-2°
Max:   Min: -3°
Lagështia: 72%
Shpejtësia e erës: 0 km/h
Ora në Tetovë: 19:40
Data në Tetovë: 04.02.2012