Shpaloset me krenari puna e Inspektorati Komunal të Tetovës
Shpaloset me krenari puna e Inspektorati Komunal të Tetovës
Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar Inspektorati Komunal i Tetovës ka intervenuar me sukses për parandalimin e dukurive devijante në sfera të caktuara. Sipas Udhëheqësit të këtij inspektorati, Neritan Ferati, gjatë kësaj periudhe, në lëmin e urbanizmit janë bërë mbi 100 intervenime. Janë larguar mbi dyzet objekte të përkohshme, të gjitha me afat të skaduar, të locuara në hapësira të cilat pengonin realizimin e planit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Si shembull të intervenimit efikas mund të shihni hapjen e trotuarit në rrugën IRLL (Potok) dhe largimin e objekteve të përkohshme të locuara në pronat e BFI-së i cili për pesëmbëdhjetë vjet ka qenë një kontekst i pazgjidhur. E gjithë kjo është arritur me punë intensive, vullnet dhe vendosmëri të organeve përkatëse të komunës së Tetovës”, tha Ferati.
Në lëmin e Inspektoratit të Ekologjisë, janë bërë një sërë intervenimesh për çkyçjen e lidhjeve të kanalizimeve fekale në kanalizimet atmosferike, aksion i cili vazhdon ende. “Inspektorati komunal i Tetovës ka intervenuar për largimin e shkaktuesve të zhurmës (ndotësve akustikë), si dhe po bëhet betejë permanente për largimin e të gjitha llojeve të ndotjeve, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme është intervenuar për dislokimin e dhjetëra deponimeve të egra në vende të ndryshme në qytet”, tha Ferati.

Inspektorët e komunikacionit për çdo ditë janë në terren duke luftuar dukurinë e auto-transportuesve të paligjshëm. Njëkohësish, ka pasur aksion për çkyçjen e lidhjeve elektrike që në mënyrë joligjore kanë qenë të lidhura në ndriçimin publik . “Kemi intervenuar në mbi 150 kyçje të kundërligjshme në ndriçimin publik me ç’rast janë konfiskuar reflektorë dhe elemente tjera ndriçuese”, tha Ferati.

Sipas tij, është intervenuar për largimin e pengesave të ndryshme nga hapësirat publike, trotuaret dhe parqet. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe Inspektorati Komunal i Tetovës ka vënë rend në vendosjen e bilbordeve reklamuese. “Në këtë lëmi ekzistonte një kaos i vërtetë, për këtë shkak është bërë mënjanimi i 200 bilbordeve të vendosura në mënyrë të kundërligjshme”, tha Ferati.

Sipas tij ,një punë e vazhdueshme e Inspektoratit komunal ka qenë parandalimi i ndërtimeve të egra. “Ka pasur hapa konkret në drejtim të parandalimit të ndërtimeve të egra. Për këtë qëllim janë dhënë Vendime për ndërprerjen e punimeve si dhe kallëzime për kundërvajtje penale për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë lloj veprimi të kundërligjshëm”, tha Ferati.

Ai theksoi se puna e tyre është e lidhur ngushtë dhe varet edhe nga institucione të tjera si policia, inspektorati i tregut dhe ai sanitar, drejtoria e ushqimit dhe gjyqi. “Me disa nga këto institucione bashkëpunimi ka munguar tërësisht, ndërsa me disa të tjera shpresojmë të përmirësohet”, tha Ferati.

Ndryshe, Udhëheqësi i Inspektoratit komunal të Tetovës, Neritan Ferati tha se ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e qytetarëve janë faktor kyç që ndikojnë në mbarëvajtjen e punëve. Ai kërkoi edhe në të ardhmen bashkëpunim me qytetarët në mënyrë që Inspektorati Komunal të kryejë me sukses punën për vendosje të mirëqenies tek ta.


Data e publikimit 24.08.2010

-2°
Max:   Min: -3°
Lagështia: 72%
Shpejtësia e erës: 0 km/h
Ora në Tetovë: 19:44
Data në Tetovë: 04.02.2012