Memorandum bashkëpunimi për përkrahjen e Këndit Amerikan
Të mërkurën në komunën e Tetovës është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes kryetarit të komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti, zyrtares së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën e SHBA-ve në Shkup, përfaqësuesve të pallatit të kulturës në Tetovë dhe Organizatës “Aurora”.
Në memorandum parashihet vazhdimi i zbatimit të aktiviteteve në qendrën e informacionit e njohur si Këndi Amerikan në Tetovë (“ACT”) gjatë periudhës prej 30.09.2010 deri 30.09.2015.
Komuna e Tetovës e përfaqësuar nga kryetari Prof. Dr. Sadi Bexheti do të sigurojë mbështetje për mirëmbajtjen dhe funksionimin e Këndit Amerikan në mënyrë që të garantohet funksionimi i rregullt i tij.
Ambasada e SH.B.A-ve në Maqedoni dhe Zyra për Marrëdhënie Publike në këtë ambasadë do të sigurojë kompjuterë dhe pajisje teknologjike për të ndihmuar anëtarët e këndit në hulumtime.
Sipas memorandumit, komuna e Tetovës do të vazhdojë të mbështesë financiarisht stafin e Këndit Amerikan dhe do të garantojë falas hapësirën me sipërfaqe prej 70 metër katror në katin përdhesë të pallatit të kulturës ku do të ushtrohen aktivitetet e Këndit Amerikan, ndërsa Shtëpia e Kulturës do të paguajnë faturat mujore për pastrimin, mirëmbajtjen dhe shërbimet për hapësirën ku është vendosur Këndi Amerikan në Tetovë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mori pjesë zëvendës ambasadori i SHBA-ve në Shkup Brayan Aggel, ndërkaq nënshkrimi i këtij memorandumi që parasheh vazhdimin e funksionimit të Këndit Amerikan në Tetovë është tregues i bashkëpunimit të suksesshëm intensiv të komunës së Tetovës me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup.