Pritje e përbashkët e Iftarit në sheshin “Iliria”
Të shtunën, në iniciativë të komunës së Bajram Pashës nga Turqia dhe në përkrahje të komunës së Tetovës, në sheshin “Iliria” është organizuar pritje e përbashkët e Iftarit ku morën pjesë kryetari i komunës së Bajram Pashës, Hysein Byrge, zyrtarë të lartë të presidencës turke, përfaqësues të organizatave joqeveritare nga Turqia dhe biznesmenë turk.
Me këtë rast kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti tha se komuna e Tetovës iu përgjigj pozitivisht dhe e ndihmoi iniciativën e komunës së Bajram Pashës nga Turqia për organizimin e iftarit të përbashkët.
“Të nderuar besimtarë mysliman, të nderuar qytetarë, ju falënderoj për prezencën Tuaj dhe edhe njëherë shfrytëzoj rastin që t’ua uroj të gjithëve muajin e bekuar të Ramazanit, këtë muaj të sakrificës njerëzore me dëshirën që në shtëpinë e secilit të lulëzojë paqja, hareja, mirëqenia dhe begatia”, tha Bexheti.
Ai më tej tha se komuna e Tetovës përkrah këtë tryezë të përbashkët solidariteti dhe përkushtimi dhe e vlerëson si një mesazh human në muajin e përndritur të Ramazanit.
“Ky iftar le të jetë një inkurajim për të ndihmuar familjet e varfra dhe për të qenë pranë njëri- tjetrit me solidaritetin tonë”, tha Bexheti.
Kryetari i komunës së Bajram Pashës, Hysein Byrge, tha se është i gëzuar që karvani i iftarit ka mbërritur në qytetin e Tetovës. Byrge më tej theksoi se karvanë të këtilla për pritjen e iftarit organizohen në shumë qytete të Maqedonisë, ndërsa ai vendosi të jetë i pranishëm vetëm në Iftarin e organizuar në Tetovë. I kënaqur nga organizimi i këtij evenimenti, Byrge falënderoi kryetarin e komunës së Tetovës për ndihmesën e pakursyer. Sipas tij, ky është një mesazh i bashkëpunimit të frytshëm mes dy komunave, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Organizimi për pritjen e iftarit në sheshin “Iliria” vazhdoi me një program të pasur artistik, gjatë të cilit performuan shumë këngëtarë dhe shoqëri kulturore nga Turqia si dhe SHKA “Jehona e Malësisë së Sharrit” nga Tetova.
Ndryshe, delegacioni nga Turqia i shoqëruar nga kryetari i komunës së Tetovës Prof. Dr. Sadi Bexheti kanë vizituar monumentet kulturore-artistike në qytetin e Tetovës.