OSBE-ja sjell njohuri krahasimtare për profesionalizimin e administratës
Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti ka pritur të mërkurën ambasadorin e OSBE-së në Shkup, Jose Luis Herrero. Ambasadori Herrero është interesuar për aktivitetet pas zgjedhjeve në komunën e Tetovës në tre muajt e parë, ndërsa theks të veçantë i ka kushtuar rëndësisë së bashkëpunimit shumetnikë, depolitizimit dhe profesionalizimit të administratës si dhe thellimit të bashkëpunimit mes komunës dhe misionit të OSBE-së në të ardhmen.
“Në bazë të këtyre dy principeve, bashkëpunimit shumetnik dhe depolitizimit, është edhe oferta jonë për një projekt të ardhshëm. Brenda kohës, për këtë projekt bashkëpunimi do t’i përcaktojmë edhe detajet”, tha ambasadori i OSBE-së në Shkup, Jose Luis Herrero.
Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, ka falënderuar ambasadorin Herrere për bashkëpunimin gjatë procesit zgjedhor dhe ka shfaqur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe për këtë projekt të ardhshëm, i cili është tepër i qëlluar dhe i vlefshëm për profesionalizimin e administratës së komunës.
Ideja e projektit të OSBE-së është që të nxisë bashkëpunimin mes komunave mbi principet e qeverisjes së mirë. Për këtë qëllim, një ekspert evropian do të qëndrojë në Shkup dhe do të vë bashkëpunim të ngushtë me stafin e disa komunave.
Në fazën e parë të projektit, eksperti do të shqyrtojë aktet komunale dhe do t’i krahasojë ato me përvojat evropiane dhe aty ku këto akte kanë kuptim do të implementohen. Në fazën e dytë do të analizohen resurset njerëzore në komunë dhe do të jepen këshilla për çështjet specifike. Eksperti do të drejtohet në problemet që e tangojnë më së shumti komunën, ndërkohë që do të sjellë njohuri komperative nga shteti që vjen.
Faza tjetër e projektit parasheh këmbimin e përvojave nga ndonjë qytet i Evropës. Projekti pritet të fillojë në shtator, ndërkohë që pritet të vendosen kontaktet mes përfaqësuesve të komunës dhe ekipit për qeverisje të mirë.