Qeveria me paratë e Tetovës investon në Osllomej
Komuna e Tetovës ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë nëpërmjet të cilit mjetet e parapara për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen “Bregu i Diellit” në Teqe të Tetovës janë ridestinuar për komunën e Osllomejit, për ndërtim të kanalizimit në Strellcë dhe Garan.
Zëdhënësi dhe shefi i protokollit i komunës së Tetovës, Flakran Pustina, ka sqaruar të enjten në një konferencë për shtyp se në buxhetin e Ministrisë për Transport dhe Lidhje për shpërndarjen e mjeteve për ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve në Republikën e Maqedonisë për vitin 2009 parashiheshin mjete në vlerë prej 2 milion e 700 mijë denarë për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Bregu i Diellit” në Teqe.
Sipas tij, komuna e Tetovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për nisjen e punës të këtij ujësjellësi. Tenderi për përzgjedhjen e firmës , e cila do t’i zbatojë punët, tashmë ka përfunduar dhe këto ditë duhej të lidhej kontrata për realizimin e punëve.
“Mirëpo, qeveria e Maqedonisë, në mbledhjen të mbajtur me 23 qershor të 2009-s, solli vendim që mjetet e parapara për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen Bregu i Diellit në Teqe të Tetovës të ridestinohen për komunën e Osllomejit, për ndërtim të kanalizimit në Strellcë dhe Garan”, tha ai.
Zëdhënësi Pustina tha se ky ridestinim i qëllimshëm i mjeteve nga ana e qeverisë paraqet një atak politik ndaj punës së komunës dhe ndaj qytetarëve të saj. “Vendimi paradoksal i qeverisë për ridestinimin e mjeteve tregon për logjikën selektive të qeverisë dhe tendencën për të bllokuar projektet në komunën e Tetovës”, tha ai.
Edhe pse qeveria në mënyrë tendencioze i tërheq mjetet e parapara për ndërtimin e këtij ujësjellësi dhe të njëjtat i destinon për në Osllomejë, Komuna e Tetovës përsëri do të vazhdojë me realizimin e këtij projekti me mjete nga buxheti i vet për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve të kësaj lagjeje.