Të përballemi bashkërisht me vështirësitë e motit të keq
Të përballemi bashkërisht me vështirësitë e motit të keq
Për të sensibilizuar opinionin për përballje sa më efikase me kushtet e krijuara nga moti i keq, kryetari i komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti, i shoqëruar nga stafi i tij, të martën kanë marrë aksion për pastrimin e borës në sheshin e qytetit, ndërkohë që ka parë nga afër punën që kryen NPK-Tetova në terren.
Kryetari Bexheti ka ftuar gjithë qytetarët për të qenë në lartësinë e kësaj situate të jashtëzakonshme të krijuar nga reshjet pandërprera të borës. Ai i ka ftuar qytetarët që me këtë rast të bashkëpunojnë për t’i ndihmuar NPK-Tetova, e cila 24 orë pandërprerë është duke punuar për pastrimin e rrugëve. “ NPK-Tetova ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e veta dhe punon pa ndërprerë për pastrimin e borës fillimisht nga bulevardet kryesore dhe fshatrat e malësisë, duke përfshirë edhe rrugët tjera dytësore. Për këtë na nevojitet edhe ndihma e qytetarëve, që bashkërisht të tejkalojmë këtë situatë të jashtëzakonshme”, tha kryetari Bexheti.

Ai ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim do të vizitojë fshatrat e Malësisë së Sharrit për të parë punët që kryhen atje. Ky aksion i stafit komunal ka për qëllim aktivizimin dhe ngritjen e përgjegjësisë te qytetarët ndaj situatës së vështirë të krijuar nga reshjet e borës, që parashikohet të vazhdojnë gjatë tërë javës.
Foto


Data e publikimit 07.02.2012

Max: 12°  Min:
Lagështia: 76%
Shpejtësia e erës: 4 km/h
Ora në Tetovë: 07:27
Data në Tetovë: 18.05.2012