Në komunën e Tetovës janë sistemuar: 12 shkolla fillore qendrore, 9 shkolla fillore territoriale, një shkollë fillore shtetërore e muzikës, gjashtë shkolla të mesme dhe dy universitete.
Shkollat e mesme janë të profileve të ndryshme, siç janë: gjimnazi, mjekësia, ekonomia, bujqësia, tekstili dhe muzika. Në Tetovë funksionojnë dy universitete: Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, është institucion i lartë arsimor që ka për qëllim arsimimin dhe emancipimin e studentëve. Kjo qendër e arsimimit të lartë sot ka 10 fakultete, dy qendra të larta profesionale, 3 institucione. Universiteti ka mbi 8 mijë studentë të rregullt, kurse në vitin akademik 2006-2007 janë pranuar edhe 2000 studentë të rinj.
Universiteti i Evropës Juglindore është hapur në nëntor të vitit 2002, ndërsa ka 5 fakultete dhe 2 shkolla të larta.
Ky universitet, ka objekte komode si dy amfiteatro, rreth 50 mësonjëtore, zyra moderne, dy qendra kompjuteristike, një laborator kompjuterik, një bibliotekë dhe ambiente për akomodim të 450 studentëve. Sistemi teknologjik i informimit ka një lidhje satelitore që mundëson videokomunikim dhe shkëmbim të shpejtë të informacioneve.