Rifat Jashari është i vetmi vëlla i mbijetuar nga familja Jashari.Ai njihet për
kontributin e tij në rritjen e pasardhësve të familjes Jashari
Me 5 Mars, 1998 herët në mëngjes forca të shumta policore dhe ushtarake serbe me
mjete të blinduara, sulmuan shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.
Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe e gjithë familja e tij, luftuan përgjatë 3
ditëve, 5, 6 dhe 7 Marsit, për të rënë heroikisht në altarin e lirisë.
Nga luftimet të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe
ushtarake serbe, së bashku me komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij u
vranë 20 anëtarë në mesin e tyre 10 fëmijë.
Ngjarjet e 5,6 dhe 7 Marsit shënojnë kthesën e madhe historike për mbylljen e një
kapitulli të vjetër për Kosovën dhe fillimin e një epoke të re, ndërgjegjësimin e
komunitetit ndërkombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve për t’i dhënë fund regjimit
serb.
Kjo betejë që pas luftës u quajt Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë
simbol i luftës për liri i gjithë popullit të Kosovës dhe simbol i pavdekshmërisë së
heroit kombëtar dhe familjes së tij. Lufta dhe qëndresa titanike në Prekaz kishte
dhënë kushtrimin në të gjitha trojet shqiptare për të rrokur armët kundër
pushtuesit.
Çdo vit më 5,6 dhe 7 mars mbahet Epopeja e UÇK-së ku qytetarë nga të gjitha trojet
etnike shqiptare mësyjnë Prekazin për t’a nderuar veprën heroike të komandantit
legjendar dhe familjes së tij. Këto tri ditë përshkohen me aktivitete të shumta, jo
vetëm në Prekaz, por edhe në vende tjera të Kosovës ku ka zhvilluar beteja UÇK-ja.
Familja Jashari ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë
kombëtare, por edhe në atë të përbotshme, për përgatitjen e gatishmërisë popullore
në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin
e UÇK-së, ka rolin e pashembullt për mobilizimin e masivizimin e popullit në luftën
çlirimtare, për mbështetjen e kësaj lufte nga faktori ndërkombëtar si dhe ka merita
të pakrahasueshme për lirinë, dhe mbarësinë kombëtare, për Republikën e Kosovës
shtet të pavarur, sovran e demokratik. Familja Jashari është dhe do të mbetet
sinonim i rezistencës dhe sakrificës.