Universiteti Shtetëror i Tetovës është i hapur dhe i arritshëm për të gjithë ata të
cilët si studentë, mësimdhënës ose bashkëpunëtorë, me cilësitë e veta intelektuale
dhe morale, në ambientin e definuar të autonomisë universitare si pandehje të lirisë
akademike të shprehjes individuale dhe të dëshmimit të aftësive dhe cilësive të
japin kontributin e vet në fushën e zhvillimit të arsimit, shkencës dhe
profesionalizmit,. “Universiteti Shtetëror i Tetovës ka histori të shkurt por një të
kaluar shumë të gjatë”. Ky institucion u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994 si
iniciativë e intelektualëve shqiptar, të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme
apolitike dhe të gjithë dashamirësve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.
Nga ky këndvështrim veprimtarinë, zhvillimin e USHT-ës mund ta ndajmë në dy
periudha:
Periudha: 1994-2003 është koha historike e krijimit të Universitetit të Tetovës.
Periudha: 2004-2010 është periudha e zhvillimit institucional të Universitetit dhe
koha e modernizimit akademik dhe fizik.Universiteti nga gjendja e emergjencës filloi
të kalojë në shkallën e reformimit akademik, konceptual dhe institucional. Fryt i
këtij aktiviteti të pakursyer dhe i dimensionimit është fizionomia e re e USHT-së.
Së këndejmi USHT-ja është afirmuar si një institucion universitar i reformuar, si
një qendër e vetme publike në gjuhën shqipe në Maqedoni për kualifikim, specializim
dhe kërkim shkencor. USHT-ja është anëtar i Konferencës së Universiteteve evropiane.
Sot USHT-ja është strukturuar në 11 fakultete, 35 programe studimore, 93 drejtime
studimore dhe 3 Institute hulumtuese shkencore. Procesi mësimor shkencor. Stafin
akademik e përbëjnë 273 mësimdhënës të rregullt dhe 355 mësimdhënës të angazhuar në
kohë të caktuar, respektivisht për një vit akademik, me tendencë të rritjes
progresive.
Në rrafshin e procesit edukativo-mësimor, Universiteti rëndësi të veçantë i
përkushton zbatimit të reformave të Bolonjës si dhe të reformave në sferën e
kërkimeve profesionale-shkencore, edhe pse kjo komponentë është akoma larg synimeve
të USHT-ës në krahasim me vendet e zhvilluara. Këto kërkime, realizohen përmes
projekteve bilaterale në saje të projekteve të Erasmus, DAD-it, Tempus-it etj për
kërkime dhe zhvillim. Duke u mbështetur në standardet Evropiane kualiteti akademik
dhe studimor është gjithnjë në rritje.
Për sa i përket Kartës së Bolonjës, USHT-ja hyn aktualisht në një fazë të re të
zhvillimit të vet, në fazën e implementimit dhe të konceptimit të modelit të
Bolonjës sipas skemës 3+2+3 ose 4+1+3 (Bachelor+Master+PhD). Duke implementuar
sistemin e ri evropian të studimeve, USHT-ja synon të jetë shumë shpejt pjesë
integrale e universiteteve evropiane, studentët të përfitojnë një formim profesional
më cilësor, diplomat tona të përafrohen me ato të vendeve të zhvilluara.
USHT-ja synon të jetë Universitet i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë prandaj është
i hapur për të gjithë studentët që dëshirojnë të studiojnë , pa dallime nacionale,
fetare etj. Numri i studentëve që përcaktohen për të studiuar në USHT është në
rritje progresive. Në krahasim me numrin e studentëve të pranuar në universitetet
tjera në vend, numri i studentëve të rinj në USHT është rritur për 30%. Kjo mund të
merret si tregues për atë se USHT zhvillohet dhe dimensionohet në drejtim të duhur
dhe me hapa të sigurta hapëron në familjen e Universiteteve evropiane. Oferta e
USHT-së për studentët e ardhshëm është konkurrente dhe e gjithëpërfshirëse. Ne
ofrojmë plane dhe programe studimore të të gjitha profileve dhe tarifa të volitshme
për studime.
Kuadri akademik i kualifikuar, bashkëpunimi USHT-së me universitetet më në zë, nga
rajoni e bota dhe ajo që është më e rëndësishmja, lidhja emocionale që ndjejnë
shqiptarët, pa përjashtim, për këtë universitet. Sakrifica dhe kontributi i tyre e
ngritën këtë institucion, deri në këtë nivel, si universitet i vetëm shtetëror me
mësim në gjuhën shqipe janë arsyeja pse duhet studiuar në USHT.