Arkitekturë e banesave qytetare të stilit oriental, banesa qytetare si një
krijimtari masive e realizuar nga mjeshtërit vendor, përfshihet në krijimtarinë
popullore. Funksioni i banimit në kuptimin e plotë të përmbushjes së nevojave për
qëndrim, fjetje, marrjen e ushqimit e të tjera, përbëjnë funksionin themelor të
banesës qytetare.
Konaku i Mehmed Beut nga gjysma e parë e shek.XIX, me përmbajtje të kompletuar
banesore është objekt i familjes “Palloshi” e njohur si Konaku i Mehmed Beut.
Objekti është i vendosur në qendër të qytetit dhe paraqet një kompleks ambiental të
monumenteve, bashkë me Xhaminë e Larme, Çifte hamamin dhe Urën e Pashasë pranë lumit
Shkumbin. Hyrja në hapësirën banesore është nga ana jug-lindore nëpërmes një hajati
komod (tash i mbyllur).
Në përdhesë gjenden kuzhina (mutfaku) me oxhak të madh në të cilën është përgaditur
ushqimi, me dy bodrume (izbe) në të cilat është ruajtur ushqimi, dhe katër dhoma të
mëdha të cilat sipas nevojave të familjes kanë pësuar ndryshime. Pjesa më dekorative
është rozeta e vendosur në pjesën qendrore të tavanit e përpunuar nga kurora e
gjetheve të rrushit, kurse brendia është e plotësuar me lule dhe toptha të
mbështjellura me kurorë nga gjethet. Enterieri në hapësirat në kat përmban elemente
të pasura dekorative të vendosura në orenditë, si rozetat, dyer, dritare, oxhak etj.
Dhoma e mysafirëve dallohet nga hapësirat tjera në kat, për shkak të ruajtjes së
dekorimeve në tërësi të orendive dhe atë rozetat në tavan, dyert, dritaret, oxhaku
në stilin dekorativ “shtuko” dhe kornizat e drurit të përpunuara nga mjeshtërit
vendor.
Fotografia e përgjithshme arkitektonike e objektit paraqet një tërësi harmonike
kryesisht me enterier të formësuar. Hapësirat, bukur të pajisura me dyer, tavane dhe
me orendi të shkallës së lartë të përpunimit. Përmbajtja e shumëllojshme programore
dhe koncepti i cili ofron standard të lartë të banimit, tregojnë për mundësitë
materiale të pronarëve dhe nevojat e një familjeje më të madhe.