Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), i themeluar në tetor të vitit 2001, me një
mbështetje të qeverive të shteteve të BE-së dhe SHBA-ve. UEJL ka statusin ligjor të
universitetit privat-publik jofitimprurës, i cili përbëhet nga fakultetet, qendrat
dhe institutet si pjesë integrale të tij, i specializuar në shkencat socio-ekonomike
dhe është unik në Republikën e Maqedonisë.
Ky universitet vazhdon të mbetet i pandryshuar në misionin e tij që t’i kontribuojë
arsimit të lartë, duke treguar një fleksibilitet të përdorimit të gjuhëve, me
mundësi që të gjithë të rinjtë nga vendi dhe rajoni të gjejnë hapësirë të
mjaftueshme për të studiuar në gjuhën e tyre amtare dhe duke i kushtuar një rëndësi
të veçantë mësimit të gjuhës angleze.
UEJL aktualisht ka mbi 7000 studentë që ndjekin ligjëratat në ciklin e parë dhe të
dytë të studimeve, me 20 programe të ciklit të parë dhe 25 programe të ciklit të
dytë të studimeve, në pesë fakultete: Administrim Biznesi, Shkenca dhe Teknologji
Bashkëkohore, Drejtësi, Administrim Publik dhe Shkenca Politike, si dhe Gjuhë,
Kultura dhe Komunikim.Duke filluar nga semestri dimëror i vitit 2013, ky universitet
ofron edhe studime të doktoratës. Specifika e këtyre studimeve i dedikohet një
qasjeje të re, e cila bazohet në parimet themelore të procesit të Bolonjës dhe
parimet e Salcburgut për shoqërinë evropiane të dijes. UEJL mundëson zbatimin e të
ashtuquajturit Joint Deegree, duke sendërtuar partneritet me shkolla të njohura të
doktoraturës, siç janë ato të Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve. Kjo, mundëson
lëvizshmërinë e studentëve, profesorëve, kurrikulave, përvojave dhe transferin e
dijes, si dhe praktikave më të mira.
Krejt kjo, arrihet me sukses brenda qytezës moderne universitare, e cila ka një
shtrirje në një sipërfaqetë mbuluar prej 30.000 metra katrorë, gjë që nënkupton një
përshtatje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në përputhje me rrethanat e reja të krijuara në hapësirën e arsimit sipëror në
Republikën e Maqedonisë dhe në rajon, në aspekt të ofertave të ndryshme të
programeve studimore, Universiteti i Evropës Juglindore ndjek zbatimin e tërësishëm
të principeve të Bolonjës, duke ofruar:
• programe cilësore për studime deridiplomike (të ciklit të
parë) dhe pasdiplomike- të ciklit të dytë (magjistraturë) dhe të ciklit të tretë
(doktoraturë);
• mësimdhënie me metoda bashkëkohore, siç janë mësimi
interaktiv, puna në grupe, e-mësimi (e-learning), etj.
• numër të madh të profesorëve të dalluar vendas dhe
ndërkombëtarë, si dhe një përvojë konkrete nëpërmjet programeve të integruara me
praktikën (internship), në nivel vendas dhe ndërkombëtar
• kalim të shpejtë në tregun e punës nëpërmjet shërbimit
profesionist të Qendrës së karrierës;
• përvojë në mësimin e teknologjisë së përparuar nëpërmjet
softuerëve e-Service, Libri, mësim në distancë, e-Grading, etj.;
• konvikte bashkëkohore, mirë të organizuara dhe të gjitha
të vendosura brenda qytezës universitare
• mbështetje për studentët me aftësi të kufizuara, etj.
Universiteti i Evropës Juglindore është radhitur i dyti në nivel shtetëror nga 19
universitete të Republikës së Maqedonisë. Ky rangim është bërë nga vlerësuesit e
jashtëm - Universiteti Shanghai, Jiao Tong.
Që nga themelimi, UEJL ka arritur ta dëshmojë veten si universitet lider i cilësisë,
financiarisht i qëndrueshëm dhe tashmë i marrë si model i arsimimit të lartë
shumëetnik dhe shumëgjuhësor në Evropën Juglindore.